“Në fund do ta vras edhe veten”, ky është gjilanasi që ia vuri flakën shtëpisë së tij dhe e kërcënoi familjen me vrasje

Një rast jo fort i zakonshëm dhe i frikshëm ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjilan, ku një person  ia ka vënë flakën shtëpisë së tij dhe e ka kërcënuar gjithë familjen me vrasje. I dyshuari tashmë është kapur nga Policia dhe ndodhet nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali. 

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Milot Salihun, 47-vjeçar, i cili dyshohet për dy vepra penale.

Sinjali mëson se i dyshuari ka qëndruar në arrati që nga 1 qershori, kur dyshohet se kishte shkaktuar rrezik në shtëpinë e tij, duke ndezur zjarr në katin e dytë.

Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari e ka kërcënuar nënën, të cilën e ka paralajmëruar se e gjithë familja do ta pësojë me jetë. Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka thënë se pasi do t’i vras familjen, do të bëjë vetëvrasje.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari është përdorues i drogës, për çka ka qenë në terapi të vazhdueshme.

I dyshuari është ndaluar sot në kufi dhe pas arrestimit është shoqëruar në stacion policor, është nxjerrë aktvendim për ndalim policor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Lexo edhe:  Mitrovica feston pas triumfit të Trepçës në finalen e Kupës