Në disa shkolla publike në Prishtinë ka filluar pjesërisht mësimi

Grevat në shumë shkolla publike në vend vazhduan edhe këtë të hënë. Por thirrjes për grevë nuk i janë bashkuar disa mësimdhënës të cilët kanë filluar mësimin në objekte shkollore.

Përderisa greva në shumë shkollat publike po vazhdon, mësim këtë të hënë është mbajtur në tri klasa në SHFMU ‘Ismail Qemali’, në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur u.d e drejtoreshës në këtë shkollë, Mimoza Krasniqi.

“Sot me kanë lajmëruar disa mësimdhënës që më vet dëshirë, pa imponimin e askujt që dojnë me e mbajte procesin mësimor. Mësimi ka vazhduar normalisht në tri klasa” ka thënë Mimoza Krasniqi- u.d drejtoreshë në SHFMU ‘Ismail Qemali’, Prishtinë.

Në tri klasa para pak ditësh është konfirmuar edhe mbajtja e mësimin në shkollën ‘Faik Konica’, në kryeqytet. Teksa edhe në komunën e Kamenicës nga kryetari i saj, i është konfirmuar RTK-së se procesi mësimor ka filluar normalisht në disa shkolla.

Kurse në shumë shkolla tjera publike në vend, greva po vazhdon.

Kjo situatë ka ndikuar edhe të prindërit të cilët thonë së u është shtuar angazhimi shtesë ndaj fëmijëve, andaj kanë kërkuar që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe nxënësit t’u kthehen bankave shkollore.

“Ne si prind e shohim këtë situate tepër të vështirë. Unë i kam dy vajza. Njërën duke filluar në kl të parë dhe tjetrën në çerdhe. E shoh të vështirë për shkak të dijenisë së fëmijëve, po i vështirësohet shkaku i grevës”, shprehet Fatbardha Mirena- prind

“Ju bëjë apel kryetarit Jashari që më e ndal grevën sepse për këta fëmijë , kanë me pa në të ardhmen që i kanë lan kështu”, Burim Makolli- prind.

Lexo edhe:  Digjet një shtëpi në Zubin Potok, pronari në Serbi

Ndërkohë, procesi në shkollat private po vazhdon normalisht ku 7 vjeçari, Henor Isufi, me sukses po i bashkon shkronjat.

Teksa Dorina Kabashi, mësuese në një shkollë private në vend, po vazhdon mbajtjen e mësimit sipas plan programit.

Ajo thotë se deri më tani procesi mësimor po shkon në rregull.

“Mësimi deri tani ka shkuar shumë mirë. Mjaftueshëm që nxënësit me u akomoduar dhe me krijuar disiplinën. Kemi vazhduar me angazhimet që janë të lehta fillimisht. Kemi arritur në njësinë mësimore “Klasa ime”, në abetare”, Dorina Kabashi- mësuese

Ndryshe, mijëra fëmijë në Kosovë po qëndrojnë larg shkollave për shkak të grevës që po zhvillohet në arsim.