Ndërron jetë e moshuara në Gjilan, djali i saj thotë se nuk iu dha ndihma e nevojshme mjekësore në spital
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në qytetin e Gjilanit, ku një grua e moshuar ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm , raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se djali i 92-vjeçares ka denoncuar rastin në Polici, ku ka akuzuar stafin shëndetësor se nuk i kanë dhënë ndihmën e nevojshme viktimës, duke mos e futur në sallën e operacionit menjëherë pasi është pranuar në Emergjencë.
Bazuar në dëshminë e tij, ai e ka dërguar nënën në spital rreth orës 14:00, por mjekët kanë pritur deri pas orës 17:00 që të vijë specialisti anesteziolog për ta dërguar për intervenime kirurgjike të moshuarën.
Si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore, viktima s’ka arritur që të presë për intervenimin dhe ka ndërruar jetë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Mosdhënie e ndihmës mjekësore’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëse mjeku ose punonjësi tjetër shëndetësor refuzon t’i ofrojë ndihmën mjekësore personit të cilit i nevojitet ndihma e tillë, dhe mosveprimi i tillë rezulton me vdekjen e pacientit, dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.