Muharremi për VV-në: Duhet të kuptojnë se nuk i kanë votat, nuk e kanë shumicën
Analisti Shenoll Muharremi ka kërkuar nga zyrtarët e VV-së që të kuptojnë një herë e mirë se nuk i kanë votat për formimin e institucioneve të reja.
Ai ka vlerësuar se këto muaj pas zgjedhjeve është vërtetuar se partia e Albin Kurtit nuk ka arritur të gjej aleatë për formimin e shumicës parlamentare.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar pse ka ndodhur kjo.
“Një gjë duhet me e kuptu ekipi i LVV-së, por edhe krejt të tjerët. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat. Nuk e ka shumicën parlamentare që kërkohet e nevojitet me i themelu institutionet. Janë mbi 50 tentime në Kuvend prej 9 shkurtit e nuk ka mujt me formu institucione. A duhet edhe ma shumë për me e kuptu realitetin? E vërteta është e LVV nuk po arrin me e ndërtu shumicën. E as, si po duket, nuk ka gjasë që ka me e ndërtu nesër. As pas një viti. Edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, me shumë gjasë, prapë nuk ka me pas shumicën”, ka shkruar ai, duke shtuar se PDK-ja dhe LDK-ja nuk besojnë VV-së.
“Pse? Sepse dy partitë e mëdha opozitare LDK dhe PDK nuk dëshirojnë partneritet me dikë që i ka sulmu e poshtënu vazhdimisht. Mosbesimi është dramatik, i thellë dhe i gjërë. Nuk kalon e nuk ndryshon kjo gjendje së shpejti, duhet me kalu vite e LVV duhet me u reformu. Nuk mundesh me i fye sot, e me u lutë nesër. Për këtë arsye, kjo dramë e përditshme duhet me marrë fund. Sepse mbi 50 herë është vërtetu që nuk po funksionon. E me këtë qasje, edhe me 500 herë nuk krijohet shumicë parlamentare. LVV i ka fitu zgjedhjet, e ka pas rastin, por nuk ka partnerë. E pa partnerë, nuk ka qeveri. As demokraci funksionale. Prandaj është koha për ndryshim rruge. Sepse nuk mundemi krejt mandatin me kalu në njëfar loopi parlamentar me shpresën se votat bien nga qielli. Nuk janë, ska shumicë. Duhet me ndry drejtimin dhe me gjetë zgjidhje tjera”, ka shkruar ai.