Sveçla akuzon Rakiqin: Po i armatos grupet kriminale brenda barrikadave

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka akuzuar prijësin e Listës Serbe dhe ish-ministrin për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq se po mirëmban barrikadat në veri të vendit.

Ministri Sveçla ka thënë se Rakiq këtë po e bënë në bashkëpunim me bandat kriminale që janë të armatosura.

“Goran Rakic në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmban barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë. E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, thuhet në reagimin e Sveçlës.

Sveçla ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë që sipas tij, Rakiq dhe grupi i tij, po i armatosin bandat brenda barrikadave.

“Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena. Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cenuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njëjtën anë. Assesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet tutje në reagimin e ministrit.

“Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij”, ka shtuar ai në fund.

Lexo edhe:  Të shtunën do të dëgjoni dy herë alarm të madh në Prishtinë, Komuna tregon arsyen