“M’tha e kam vendos, është toka jem”, vëllai i heroit Afrim Bunjaku tregon si e kuptoi lajmin për vrasjen e tij

Mëngjesi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, shënoi sulmin terrorist të organizuar nga një grup krliminelësh serbë, të armatosur tejet rëndë, të cilët lanë të vrarë tashmë heroin e Kosovës, rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, ndërsa plagosën dy pjesëtarë të tjerë të PK-së, raporton Gazeta Sinjali.

Për humbjen e rreshter Afrimit, ka folur vëllai i tij Mujë Bunjaku, i cili të ndjerin tha se do ta kujtojnë si një njeri tejet atdhetar e të vendosur.

Muja tha se lajmin për humbjen e tij e mori nga djali i axhës, teksa shtoi se Afrimin e kishte të vetmin vëlla.

“Mëngjesin e së dielës, në ora 6:10 më ka thirrë djali i axhës në telefon, më ka thënë e kanë plagosur shumë, i thash a e kanë vra, tha jo, më vonë më ka tregu. Shumë rëndë, shumë vështirë”, u shpreh ai për Nacionale.

Korrikun e këtij viti, ai u shpreh se me Afrimin kishin biseduar për situatën në veri të vendit, teksa tregoi se çfarë i kishte thënë ai rreth kësaj çështje për të cilën dhe dha jetën.

“Ka qenë njeri shumë i vendosur, atdhetar shumë. Kur kam qenë për pushim këtu në korrik, duke pi kafe me të, i kam thënë vëlla ruaju se nuk është mirë në pjesën veriore. Më ka thënë, vëlla nuk ka kthim prapa, asnjë milimetër nuk e lëshoj të tokës, e kam vendos, është toka jem dhe kam me shku deri në fund, nuk jam duke u frikësu aspak”, u shpreh vëllai i tij.

Ai tha se me rreshter Afrimin për herë të fundit foli pak orë para se të vritje, mesditën e së shtunës.

Lexo edhe:  Ekspertët e sigurisë: Nëse Serbia nuk sanksionohet, ajo nuk do të ndalet