Mitrovicasi sulmon me çekan nënën dhe dhëndrin e tij, përfundon në ndalim policor

Prindërit shpesh herë janë të përfshirë në rastet e dhunës në familje, ku ndodh të sulmohen fizikisht nga fëmijët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Shupkovc të Mitrovicës.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes, ku një 31-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht duke e goditur me çekan nënën e tij, 62-vjeçare. Përpos nënës, ai ka sulmuar edhe dhëndrin e tij.

Si pasojë e lëndimeve trupore, dy viktimat kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e kanë denoncuar edhe në Polici.

Njësitë policore me të marrë informatën janë vënë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar.

I njëjti është intervistuar në stacion nga hetuesit policor, ku ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Me urdhër të prokurorit, 31-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Ridvan Tahiri e shpëton një 17 vjeçar nga ngulfatja në aeroplan (VIDEO)