Mitrovicasi i hyn dru personit që e denoncoi në Polici, ia thyen dorën

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete. E përpos grushteve në shumë raste përdoren edhe mjetet e forta, duke u shkaktuar viktimave lëndime të rënda trupore, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Ulqini’ në Mitrovicë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një tjetër.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari e ka goditur viktimën me një shkop druri, duke i shkaktuar lëndime trupore.

29-vjeçari është dërguar në spital, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai ka pësuar frakturë në dorë si pasojë e goditjeve me shkop. Ai është transferuar në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima ka denoncuar të dyshuarin për një rast më parë në Polici, gjë e cila ka revoltuar tej mase 21-vjeçarin.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit në stacion policor.

 

 

Lexo edhe:  Diellza Osmani ka nevojë për ndihmë