Ministri i serb i Mbrojtjes: Ushtria serbe është e gatshme, shpresoj që askush të mos e testojë

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka njoftuar për takimin që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pasur mbrëmë në Rashkë me Listën Serbe.

Vuçiq ka vizituar garnizonin e ushtarëve në Rashkë.

Vuçeviq ka thënë se shpreson se askush të mos e testojë “gatishmërinë e Ushtrisë së Serbisë.

“Ato bisedime mes presidentit Vuçiq dhe serbëve nga Kosova e M. janë miqësore, por komplekse, sepse edhe rrethanat janë shumë sfiduese. Presidenti i njoftoi ata me të gjitha gjërat që Serbia po bën për ta ruajtur Kosovën e M. Përfaqësuesit serbë të Kosovës e M. e njoftuan atë me situatën në terren dhe se çfarë i shtyu që të shkojnë në atë llojë proteste paqësore dhe demokratike, siç janë barrikadat”, ka thënë Vuçeviq për radio televizionin serb “RTS”. “Askush nuk është në luftë dhe askush nuk dëshiron konflikte, por Ushtria serbe është e gatshme, e guximshme dhe e vendosur për ta mbrojtur vendin tonë. Shpresoj që askush të mos e testojë nëse kjo është e saktë”.

Vuçeviq ka treguar se presidenti serb Vuçiq ka pasur komunikim me përfaqësuesit e QUINT-it dhe se është duke u kërkuar një marrëveshje, porse nuk do të lejohet “poshtërimi i serbëve të Kosovës”.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron që kjo të kthehet në format të dialogut, atëherë duhet të ndalohen lëvizjet irracionale të administratës së Albin Kurtit. Serbët nuk dolën pa arsye në rrugë, por për shkak të një sërë të lëvizjeve të Prishtinës. Serbia është e gatshme për një marrëveshje, por nuk do të thotë injorim i vijave të kuqe. Varet nga ne që të gjejmë një zgjidhje politike dhe në të njëjtën kohë Ushtria dhe Policia janë të gatshme të mbrojnë Serbinë dhe qytetarët e saj”, tha Vuçeviq.

Lexo edhe:  Shtohen zërat në Serbi që thonë se në Banjskë u vranë 10 terroristë