Ministri i Qeverisë së Kosovës kërcënohet me vrasje nga Serbia

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka thënë se është kërcënuar me vrasje nga Serbia, pasi FFK bëri ankesë në FIFA për provokimin e Serbisë me banerin ku shihej harta e Kosovës me ngjyra të flamurit serb në ndeshjen mes Brazilit dhe Serbisë të zhvilluar më 24 nëntor, në Botërorin e Katarit.

Çeku ka deklaruar se ai ka pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia nga “momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022”.

Tutje ai është shprehur optimist se Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që – sipas tij – e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese.

Postimi i plotë i tij:

Përgjatë dy ditëve të fundit kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022.

Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor.

Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare. Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s. Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese.

Lexo edhe:  Arrestohet serbi që tentoi ta ‘shkelë’ me veturë zyrtarin policor