Mësohet kur do të ekzekutohen 100 eurot për studentë

Ekzekutimi i shtesave nga 100 euro për grupin e parë të studentëve aplikues pritet të ndodhë brenda këtij muaji.

Ani se nuk është bërë i ditur numri i studentëve që kanë aplikuar për mbështetje me nga 100 euro nga Pakoja për Përballje me Inflacion, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se po synojnë që brenda muajit nëntor të ekzekutohen shtesat për grupin e parë të studentëve aplikues.

Kryeziu ka theksuar se kanë themeluar Komisioni zbatues, përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve. Sipas tij, ky komision është në komunikim të rregullt me Universitetet për konfirmimin e listave.

“Tashmë kemi themeluar Komisionin zbatues, përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve. Ky komision është në komunikim të rregullt me universitetet për konfirmimin e listave. Varësisht nga konfirmimet, po synojmë që brenda muajit të ekzekutojmë shtesat për grupin e parë e studentëve aplikues”, ka deklaruar Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress.

Aplikimi për studentët ka qenë i hapur deri më 6 nëntor, në platformën eKosova ndërsa të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë studentët aktivë që studiojnë në programet e akredituara në Kosovë.

Deri më tash shtesat nga qeveria janë ndarë për pensionistët nga 100 euro, për kategoritë sociale dhe për punonjësit e sektorit publik për muajin shtator dhe tetor nga 50 euro.

Ndërsa, për punëtorët e ndërmarrjeve publike ende nuk janë ndarë shtesat e një hershme nga 100 euro. Sindikatat nga kompanitë publike njoftojnë për KosovaPress se qeveria ka kërkuar listat e punëtorëve për ndarjen e mjeteve shtesë për punëtorët që kanë pagë më të vogël se 1 mijë euro.

Ekzekutivi me pakon e fundit për përballje me inflacionin ka paraparë ndarjen e shtesave direkte për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro të njëhershme.

Lexo edhe:  Gold AG mbështetë 4 policët që u suspenduan shkaku i një foto të tyre që u shpërnda në Facebook

Ndërsa, për punëtorët e sektorit privat, ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për tre muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme.

Sipas Muratit secili biznes që ka rritur pagat e punëtorëve nga shtatori e këtej, dhe dëshiron të përfitojë nga mbështetja e qeverisë, mund të aplikojë deri më 20 dhjetor.