Mërgimtari e kalon ‘pushimin’ në ndalim policor, arrestohet pasi e kërcënoi gruan kur erdhën në Kosovë

Numri i rasteve të dhunës në familjet kosovare është në rritje çdo ditë e më shumë. Jo rrallëherë ndodh që në Polici të denoncohen edhe problemet mes çifteve nga diaspora, të cilët i zë sherri posa arrijnë në Kosovë.

Burrat, ata që raportohen për dhunë ndaj grave të tyre goxha shpesh i kalojnë ditët e pushimit në qendrat e ndalimit e ato të paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe sot në mëngjes në fshatin Ngucat të Malishevës, ku një mërgimtare e ka denoncuar bashkëshortin e saj dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima ka raportuar se pasi ka ardhur nga Italia për pushime në Kosovë, ka pasur konflikte verbale me burrin e saj, që eskaluan sot edhe në dhunë psikike e kanosje.

Sinjali mëson se ndër të tjera, viktima ka raportuar se raste të tilla ka pasur mjaft shpesh në familjen e tyre, por ajo asnjëherë nuk i ka raportuar.

Të gjitha detajet të asaj që kishte ndodhur mes tyre, viktima i ka rrëfyer në Polici, me rastin e denoncimit.

Si rezultat i raportimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Që nga janari deri në gjysmë të prillit, 840 mijë udhëtarë kaluan përmes ANP “Adem Jashari”