Aksioni i Antidrogës në Prizren: Heroina e sekuestruar kap vlerën e rreth 2 mijë eurove

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë pas hetimeve ndaj Albert dhe Valon Domgjonit, babë e bir nga Prizreni, recidivist të veprës penale për shitblerje të drogës, ka zhvilluar sot operacion policor në fshatin Shpenadi të Prizrenit, ku të njëjtit janë arrestuar, me ç’rast është sekuestruar edhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit, heroinë.

Burimet brenda Prokurorisë tashmë kanë dhënë detaje të reja se çka u sekuestrua gjatë këtij aksioni, që u realizua në pikë të mëngjesit.

Sinjali mëson se Antidroga ka gjetur dhe sekuestruar rreth 15 doza me heroinë, që kapin vlerën e rreth 2 mijë eurove. Përveç heroinës, zyrtarët policorë kanë sekuestruar edhe një sasi të marihuanës, telefona, si dhe para të gatshme, 2 mijë euro.

Dy të dyshuarit, Alberti dhe Valoni përfunduan në Polici pas përfundimit të aksionit, por urdhri për ndalim policor është lëshuar vetëm ndaj Albertit (babai).

Ndryshe, të njëjtit janë arrestuar edhe gjatë operacionit ‘Fermeri’, që u zhvillua vitin e kaluar, aksion ky që rezultoi me sekuestrimin e një sasie të drogës, që kapte vlerën e mbi 16 mijë eurove.

Lexo edhe:  Fundjava e parë me kufij të hapur, mijëra hyrje nga Kosova drejt Shqipërisë