Mediumi boshnjak: Xhaka dhe Shaqiri në një situatë të palakmueshme, duhet ta qesin jashtë Kosovën “e tyre”
Futbollistet e Zvicrës mbrëmë deri në minutën e 88-të e kishin “në xhep” kualifikimin për në Euro, por me golin e izraelitit Shon Weissman do të duhet të presin dy ndeshjet e fundit për t’u kualifikuar në Euro.
Sip shkruan sot mediumi boshnjak Klix, zviceranët do ta kenë mundësinë e sigurimit të kualifikimit te ndeshja e ardhshme të shtunën, dhe ajo ndeshje do të jetë veçanërisht emocionuese për yjet më të mëdhenj Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.
Gjegjësisht, Xhaka dhe Shaqiri do të jenë në një situatë jashtëzakonisht të palakmueshme duke pasur parasysh se do të luajnë kundër Kosovës së tyre, me të cilën Zvicra po lufton për një vend në Euro.
Më saktësisht, me fitore në Bazel, zviceranët do të shkojnë në Euro, madje edhe me barazim kosovarët do të mbeten pa shanse për t’u kualifikuar në garën e kombëtareve më të mira evropiane.
Kujtojmë se prindërit e Xhakës janë nga Kosova, ndërsa Shaqiri ka lindur në Kosovë.
Përveç këtyre dyve, në radhët e Zvicrës janë edhe dy lojtarë të tjerë, prindërit e të cilëve janë kosovarë, Andi Zeqiri dhe Uran Bislimi, i cili vitin e kaluar ka luajtur dy ndeshje për Kosovën dhe ka shënuar një gol.