Mediat në Serbi: Faton Hajrizi refuzoi të dorëzohej, u konfrontua me policinë

Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e një polici dhe plagosjen rëndë të një tjetri në Loznicë është likuiduar.

Sipas mediave në Serbi, ai u vra në një fabrikë të braktisur jo larg vendit ku gati 40 orë më parë dyshohet se vrau policin Nikolla Krsmanoviq  dhe plagosi një tjetër.

Siç raportohet ai nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka qëlluar me një numër të madh të shtënash në drejtim të policëve që e kanë rrethuar, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Sipas mediave ai ka qëlluar në drejtim të policëve që e kanë rrethuar dhe ata kanë shpëtuar nga jelekët antiplumb dhe helmetat që kishin.

Madje, mediat serbe kanë publikuar edhe pamjet e të vrarit. Ndonëse identiteti i tij mbetet ende i pakonfirmuar, raportohet se bëhet fjalë për Faton Hajrizin.

 

Autoritetet serbe sot e kanë shpallur në kërkim Faton Hajrizin, i cili dyshohej për vrasjen e policit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e një tjetri, në Loznicë të Serbisë.

Faton Hajrizi, dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës dhe ishte në kërkim nga Policia e Kosovës.

Kujtojmë se nga të shtënat që ndodhën natën e 18 korrikut në Loznicë, një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë.

Sulmuesi fillimisht u identifikua si Artan Hajrizi, por i njëjti tha për mediat e Kosovës se nuk ka gisht në vrasje dhe se vëllai i tij, Fatoni ia ka vjedhur dokumentet personale.

Për rastin janë arrestuar edhe tre persona në Serbi.

Lexo edhe:  Merr flakë një motoski bore në Brezovicë