Mediat maqedonase: Sabedin Sinani nxori armën në aeroport, nuk lejoi të kontrollohej çanta e Vjosa Osmanit

Mediat maqedonase kanë nisur pasditen e sotme të raportojnë për një rast që ka ndodhur në Aeroportin e Shkupit.

Sigurimi i aeroportit ka tentuar që t’ia kontrollojë çantën personale, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pasi që sipas raportimeve atje detektorët kanë kapur dicka të dyshimtë brenda saj.

Mediat në Shkup spekulojnë që brenda çantës ka mundur të ketë gjëra të dyshimta dhe përmendin edhe armë dhe drogë.

Mirëpo, meqë çanta e presidentes nuk ishte lejuar të kontrollohej, gjithcka që raportohet atje është spekulim dhe e pabazuar.

Kjo edhe për shkak që përvec konfirmimit të këshilltarit të presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, që çanta nuk është lejuar të hapet, kjo konfirmohet edhe nga mediat e shtetit fqinj.

Për mos arritjen e konfiskimit të çantës së presidentes Vjosa Osmani, në Maqedoninë e Veriut, po e lënë fajtor Sabedin Sinanin.

Ky i fundit është shef i sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Për të po raportohet se ka nxjerrur edhe armën para sigurimit në aeroport në kundërshtim që të merret çanta personale e presidentes Osmani.

Derisa, rasti u konfirmua edhe nga zyra e presidentes Vjosa Osmani.

Në përgjigjen e Bekim Kupinës dhënë për Gazeta Insajderi, ai tregon se si kishte rrjedhur e gjithë situata.

Kupina është ankuar në sjellje prej banditëve të sigurimit në Aeroportin e Shkupit.

Thotë se është tentuar që t’i merret telefoni personal i presidentes Osmani.

Por, kjo gjë nuk u lejua as nga mbrojtja e afërm e Osmanit – pjestarë të Policisë së Kosovës.

“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, ka thënë Kupina për Gazeta Insajderi.

Lexo edhe:  Dallavere të mëdha me pagesa nga “Visametric”, Inspekcioni zbarkon në zyret e tyre

“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident. Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar. Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës.  Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”, ka përfunduar ai.