“Me njërin nga ta ka pasur probleme”, flet vëllau i boksierit mitrovicas që u vra në Gjermani

Boksieri nga Mitrovica, Besar Nimani, është vrarë të shtunën në mbrëmje në Bielefeld të Gjermanisë. Vëllau i tij, Berat Nimani ka treguar për Insajderin se si ka ndodhur ngjarja.

Nimani për Insajderi ka thënë se vëllau i tij është qëlluar në rrugë derisa po shkonte në një organizim për përvjetorin e vdekjes së shokut të tij.

“Kur ka ndodh rasti Besari i ka sjell fëmijët dhe bashkëshorten te unë, pastaj ka dal në qytet për të shku në përvjetorin e vdekjes së një shokut të tij, gjatë rrugës ka shku me marr një shok tjetër në lokal ndërsa tre persona e kanë pritur në rrugë dy nga të cilët e kanë qëlluar Besarin”, tha Nimani.

Më tutje për Insajderi ai ka thënë se viktima ka pasur problem me njërin prej të dyshuarve para tri viteve.

“Para tre viteve njëri nga të dyshuarit kishte hyrë në lokalin e Besarit, dhe kanë pasur një debat aty, Besari e ka qitur jasht lokalit”, shtoi ai.

Sipas tij njëri nga të dyshuarit është dorëzuar në polici, ndërsa dy të tjerët janë në arrrati.

Mediumi gjerman ‘NiUS’ raportoi se në vendin e ngjarjes autoritetet gjermane kanë gjetur gjashtë gëzhoja plumbash.

Boksieri që ka garuar në kategorinë supervelter, raportohet të jetë sulmuar edhe në vitin 2013.

Ka pasur 27 meçe, nga të cilat 26 fitore dhe një humbje. Nuk ka qenë aktiv që nga viti 2019.

Lexo edhe:  Dosja për tentim vrasjen në Rahovec: Të armatosur deri në dhëmbë – çka ndodhi te shtëpia e familjes Duraku