“Me Kanun e kryej me ty, nanën kam me ta q*”, pejani iu vërsulet dhe e kërcënon policin pasi u ftua në stacion

Zyrtarët policorë, duke përfshirë edhe grada të larta jo rrallëherë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme, që në shumicën e rasteve motivet lidhen edhe me punën e tyre zyrtare.

Ngjarje të tilla ndodhin gjatë kohës kur policët janë me uniformë, por edhe jashtë detyrës zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë, ku viktimë është një zyrtar policor në stacionin policor në Pejë, Prokuroria tashmë ka urdhëruar nisjen e hetimeve pas denoncimit të rastit.

Burimet e Sinjalit brenda këtij institucioni kanë bërë me dije se këtë herë është kërcënuar një polic (emër i njohur për redaksinë), nga një palë e dyshuar që ishte ftuar për t’u paraqitur lidhur me një rast.

Sipas informacioneve të para, personi që dyshohet për këtë rast, posa ka arritur në stacion policor, e ka kanosur seriozisht viktimën, ku ndër të tjera i ka thënë se “me Kanun kam me kry me ty…”.

Për të mos mbaruar me kaq, ai i është vërsulur policit dhe iu ka drejtuar me fjalët “Nanën kam me ta q*..”, thonë tutje burimet.

Përballë kësaj situate, zyrtarët policorë kanë intervenuar për ta vënë situatën nën kontroll, me ç’rast i dyshuari është arrestuar.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme, brenda afatit ligjor.

Lexo edhe:  Ky është personi i arrestuar që dyshohet se planifikoi ekzekutimin e të riut “Dhija” në Podujevë