Me bakllava i “qarosi”, por Kurti i la policët pa shtesa të rrezikshmërisë edhe këtë muaj

I ekspozohen rrezikut dhe punojnë me nga 12 orë pa ndërprerë e në kushte minimale, kanë uniformë të vjetëruar e shpesh i kemi parë edhe me këpucë të shqyera. Zyrtarët e Policisë së Kosovës, vazhdojnë të jenë ndër më të anashkaluarit nga Qeveria e Kosovës kur bëhet fjalë edhe për sigurim shëndetësor. Përveç kësaj, atyre nuk po i paguhen shtesat e rrezikshmërisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në tensionet që ndodhën në komunat veriore, zyrtarët policorë u sulmuan me eksplozive të ndryshme, armë zjarri, gurë dhe tulla betoni. E situata të tilla ku ata rrezikojnë jetën në shërbim të vendit janë të shpeshta. Por për këtë, tash e disa muaj, Policia e Kosovës nuk mori shtesa për rrezikshmëri.

Krejt çka ju ofruan këtë muaj kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ishte nga një copë bakllava.

Gjatë vizitës së tyre te Kroi i Vitakut, Kurti e Sveçla i ëmbëlsuan policët dhe ju japën fjalë lavde për punën e tyre, por, asnjë fjalë nuk u tha për shtesat e rrezikshmërisë anipse ata punuan me orare të stërzgjatura të në javët e fundit në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati më 7 qershor, në një konferencë për media tha se janë në diskutime për kategoritë që do të përfitojnë.

“Shtesa e rrezikshmërisë  është ritransformuar një pjesë e saj është përfshirë në pagë, dhe tani jemi në diskutim e sipër për kategoria të caktuar që mund të përfitojnë pasi që ekspozohen mbi proporcionalisht me rrezikun, momentin që vendoset ka edhe kompensim retroaktive”, tha Murati.

Policët më parë merrnin shtesat për orar të zgjatur e rrezikshmëri në punë sipas një rregulloreje të brendshme të policisë, por me funksionoalizimin e ligjit të ri për paga kjo rregullore u ndalua.

Lexo edhe:  Liberalizimi po e bënë të vetën: Për dy ditë, mbi 7 mijë qytetarë aplikuan për pasaportë

Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023. Ndërsa më 7 prill i njëjti ligj është dërguar në Kushtetuese nga avokati i Popullit me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.

Kujtojmë se që nga përfundimi i luftës së fundit, 19 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.