Mbi 4,000 regjistrime, sot është afati i fundit për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në RKS

Nga 16 dhjetori, qytetarët të cilët nuk i kanë regjistruar veturat në RKS-Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës me veturat që mbajnë targat me akronime serbe e që shteti i konsideron ilegale.

Dita e sotme shënon ditën e fundit që të gjithë pronarët e veturave me targa si KM, PR, PZ, DE, UR e të tjera t’i kthejnë ato në targa të Republikës së Kosovës.

“Pas përfundimit të këtij afati, pra pas datës 15 dhjetor, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas vendimit të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare ashtu siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi. Automjetet do të ndalohen nga Policia e trafikut rrugor dhe do të gjobiten për kundërvajtje në trafik dhe tabelat do t’i largohen automjetit, ndërsa nëse e njëjta vetura do të haset përsëri në qarkullim ajo veturë do të konfiskohet”, kanë thënë nga MPB për rel.

Afati për konvertimin e targave do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor por Qeveria e Kosovës e kishte zgjatur atë edhe për 15 ditë pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim.

Lexo edhe:  Ky është personi që u kap me armë të mbushur nga Njësia Speciale te Rruga B, ndalohet për 48 orë