Mashtrohet gruaja në Malishevë, e pagoi 500 € personin që i premtoi rrejshëm se ia liron burrin nga burgu

Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një grua nga Malisheva, e cila ka paguar qindra euro për “lirimin” e burrit të saj nga burgu.

Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia, teksa tashmë janë zbuluar detaje të reja.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima është një 41-vjeçare, e cila e ka denoncuar rastin në Polici, ku raportoi se ia ka paguar mbi 500 euro një personi, që i premtoi rrejshëm se do ta ndihmojë.

I dyshuari, sipas dëshmisë së viktimës, kishte kontaktuar me të përmes telefonit dhe ka arritur ta mashtrojë, duke i thënë se nëse e paguan do t’ia lirojë bashkëshortin e saj nga burgu.

Sinjali mëson se pas dhënies së deklaratës së viktimës dhe mbledhjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrimi”.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Lexo edhe:  Burri në Fushë Kosovë raportoi se i ka humbur gruaja, ajo lajmërohet nga Malisheva: Jam martuar