Mashtrimi me apele për ndihmë: Kërkohen 80 mijë euro për sëmundjen që nuk ka ilaç (VIDEO)

Hiq më pak se 80 mijë euro po i kërkon nga qytetarët një person i prezantuar si Ilir Isufi nga Gjilani. Kjo shumë ai thotë se po i duhet për gjoja të bijën e tij, Agnesën, me pretendimin se ajo vuan nga sëmundja Skleroza Multiple.

KIKS Kosova ka kontaktuar me këtë person për t’ia kërkuar dokumentet që dëshmojnë diagnozën e Agnesës, por ai tha se nuk i posedon.

Ai u arsyetua se dokumentet dhe raportet mjekësore të 19-vjeçares ndodhen në një spital në Beograd, ku thotë se po trajtohet ajo, të cilit nuk ia di as emrin.

Ky person i tha KIKSit se para se të dërgohej në Beograd, Agnesa është kontrolluar në dy spitale private në vend.

KIKS Kosova ka kontaktuar me këto dy spitale për të verifikuar nëse 19-vjeçarja është vizituar ose trajtuar ndonjëherë aty.

Nga Spitali Aloka e mohuan që Agnesa ka qenë ndonjëherë paciente e tyre.

“Pacientja e përmendur në e-mail nuk figuron në dosjet e Alokës, që ka qenë ndonjëherë tek ne”, thuhet në përgjigjen e këtij spitali.

Ndërkaq, nga Spitali Amerikan refuzuan të tregonin me arsyetimin se kjo përbën informacion të ndjeshëm që mbrohet me ligj.

“Ju njoftojmë se çdo kërkesë nga palët e treta lidhur me informacionet, nëse një person është pacient ose jo i institucionit, si dhe referuar historiatit shëndetësor, nuk mund të procesohet për shkak se këto paraqesin të dhëna të ndjeshme bazuar në Ligjin nr. 03/L-172 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Të njëjtat i ofrohet vetëm pacientit dhe organeve të autorizuara me ligj”, thuhet në përgjigjen e Spitalit Amerikan.

Personi që fshihet pas këtij apeli e kontaktoi KIKS-in, për t’i kërkuar që të shkojë dhe ta realizojë një kronikë për Agnesën në Serbi, por më pas nuk u përgjigj në thirrjet e emisionit.Ai nuk i dërgoi në redaksinë e emisionit as fotografitë dhe dokumentet që vërtetojnë diagnozën e Agnesës, ashtu siç premtoi.

Lexo edhe:  Kurani më i vogël në botë gjendet në Shqipëri, mediat botërore i japin jehonë lajmit

Çka e bëri edhe më të dyshimtë këtë apel është edhe sëmundja nga e cila pretendohet se vuan 19-vjeçarja.

Ndonëse, në thirrjen për ndihmë thuhet se kjo sëmundje është e pashërueshme në Kosovë, neurologu i QKUK-së, Blerim Myftiu, në një intervistë për KIKS Kosova, tha se kura e Sklerozës Multiple nuk është gjetur ende diku në botë.

Sipas tij, nuk ka ende një ilaç që mund ta shërojë tërësisht këtë sëmundje, por vetëm barna të cilat përdoren për trajtimin e saj.

“Sëmundja Skleroza Multipe është një sëmundje e cila nuk ka shërim momentalisht, d.m.th nuk ekziston një medikament ose një procedurë mjekësore e cila e shëron, e zhduk, e eliminon sëmundjen”, tha ai.

Myftiu tha se nga viti 2020 barnat për trajtimin e kësaj sëmundje, të cilat një pacienti për një vit i kushtojnë nga 15 mijë deri në 20 mijë euro, ofrohen falas në QKUK.

“Çdo pretendim i dikujt, pa marrë parasysh, mjek, neurolog, pa marrë parasysh çfarë profesionisti shëndetësor që terapia, në rastin konkret, 80 mijë euro ose çfarëdo që e shëron sëmundjen është i pabazë në njohuritë shkencore momentale, zyrtare”, shtoi neurologu.

Mirëpo, ai konfirmoi se Agnesa nuk ka qenë asnjëherë në listën e pacientëve që janë trajtuar për Sklerozë Multiple në këtë klinikë.

“Që prej krijimit të Njësisë së Sklerozës Multiple, në kuadër të Klinikës së Neurologjisë të QKUK-së (në janar të vitit 2020), pacientja me emrin Agnesa Ilir Isufi, nuk figuron të jetë vizituar, kontrolluar, diagnostikuar apo trajtuar për sklerozë multiple”, thuhet në përgjigjen e tij.

KIKS Kosova ka provuar sërish që të kontaktojë me numrin kontaktues që është dhënë në apel, por i njëjti ka qenë jashtë funksionit.

Lexo edhe:  “Kemi me ta hek kokën e vajzës”, Fjolla tregon detajet nga kërcënimet që mori