Masat kundër Kosovës, Schneeberger kërkon dorëheqjen e Borrellit dhe Lajçakut
Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka kërkuar dorëheqjen e Borellit e Lajçakut.
Ajo ka thënë se masat kundër Kosovës, përveç që janë skandal dhe e dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e bllokut, ato rrezikojnë edhe sigurinë e të gjithëve.
“Masat e shpallura ndaj Republikës së Kosovës nuk janë vetëm skandal dhe dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së, por rrezikojnë edhe sigurinë e të gjithëve ne. Ka presion mbi Republikën e Kosovës, e cila po zbaton demokracinë dhe sundimin e ligjit, siç presim nga një vend demokratik që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së. Nga ana tjetër po qetësohet agresori dhe autori i vërtetë i përshkallëzimeve dhe sulmeve brutale ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Ky është përmbysje autor-viktimë. Në këtë mënyrë ne forcojmë autokratët dhe nacionalistët dhe dobësojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, thuhet ndër të tjera në letrën e Schneeberger.
Schneeberger ka thënë se përfaqësuesit e lartë të BE-së që ndërmjetësojnë dialogun Kosovë-Serbi, nuk janë të pavarur dhe nuk po marrin vendime në frymën e vlerave evropiane.
“Ju bëj thirrje të gjithëve: Thirrje për dorëheqjen e përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell, përfaqësuesit Special Miroslav Lajçak, dhe drejtorit të përgjithshëm Gert Jan Koopman. Vendimet e tyre rrezikojnë demokracinë dhe paqen në Evropë. Ata padyshim nuk janë të pavarur dhe nuk marrin vendime në frymën e vlerave tona evropiane. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, ka thënë ajo.