Masat e fshehta me të cilat u gjet trupi i Bedri Rexhepit, çka dihet për vrasjen e biznesmenit

Misterit gati 2-vjeçar për zhdukjen e Bedri Rexhepit i është dhënë fund sot. Një vit e gjysmë pas zhdukjes, Prokurori Armend Hamiti konfirmoi se biznesmeni nga Lipjani është vrarë dhe se mbetjet mortore që u gjetën para gati tri javësh në Novobërdë janë të tij. Motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro. Por, si e zbuluan institucionet vendin ku u gjetën këto mbetje? Kush janë të akuzuarit e si reagoi familja Rexhepi pas marrjes së këtij lajmi?

Pas më shumë se një viti e gjysmë nga dita kur ishte raportuar si i zhdukur, sot u konfirmua se biznesmeni nga Lipjani, Bedri Rexhepi, është vrarë.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti, deklaroi se mbetjet mortore që u gjetën para gati tri javësh në Novobërdë, janë të Bedri Rexhepit dhe se për këtë janë informuar dje familjarët.

“Fillimisht ju informoj se dje gjatë ditës, kam informuar familjarët e viktimës se në bazë të të gjeturave antropologjike, mjeko-ligjore, ku bën pjesë përcaktimi i profilit biologjik, krahasimi i gjetjeve otologjike dhe të dhënave nga raporti stomatologjik para vdekjes, si dhe provave tjera dhe rrethanave të çështjes, është vërtetuar identiteti i viktimës”, deklaroi Hamiti.

Ai bëri me dije se ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për veprat penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “dëmtim i varreve apo kufomave”.

Sipas Prokurorit, nga hetimi 18 mujor rezulton se motivi i kësaj vrasje janë 30 mijë euro, që të akuzuarit besonin se i kishte Rexhepi.

“Prandaj, pas hetimit, sigurimit të të gjitha provave dhe dëshmive, kam arritur të vërtetoj dyshimin mirë të bazuar dhe kam ngrit aktakuzë kundër dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprës penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “dëmtimi i varreve apo kufomave”, siç parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale për fat të keq është i ulët. Sipas hetimit tonë, i cili ka zgjatur për rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30 mijë euro, të cilat të akuzuarit kanë besuar se tani i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon, për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, deklaroi Prokurori në konferencën për media.

Lexo edhe:  “M’ka humbur vajza”, nëna e raporton rastin në polici pas 4 dite

Hamiti më pas foli edhe për historikun e këtij rasti, nga dita kur Rexhepi është raportuar si i zhdukur.

Duke folur për veprimet hetimore që kanë ndërmarrë, Prokurori zbuloi se identifikimi i vendit ku u gjetën mbetjet mortore, është bërë nga vetë ata përmes përmes masave të fshehta dhe vëzhgimit.

“Kemi ba ekzaminim të telefonave të të pandehurve, pra për me siguru prova, është bërë hartografia e lëvizjes së të pandehurve dhe viktimës përmes telefonit dhe antenave telefonike, janë siguruar të gjitha kamerat, në të gjitha vendet ku ka pasur lëvizje të viktimës dhe të pandehurve në ditën kritike dhe në ditët në vijim. Kemi dalë në terren të gjitha ekipet e sigurisë si vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare për identifikimin e vendit të ngjarjes apo vendit ku mund të jetë personi. Kemi zbatu masa të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit të cilat janë bërë me urdhëresë të gjykatës, e të cilat në fund na kanë mundësu edhe identifikimit të pistës apo vendit ku është gjetur trupi dhe zbardhjen e këtij rasti”.

Prokurori zbuloi se kishin dalë në terren edhe me të pandehurit.

“Gjatë kësaj kohë, dmth në shtator 2022, kemi dalë edhe në terren me të pandehurit lidhur me zbulimin e vendit se ku gjendet trupi i viktimës, nuk kanë rezultuar me sukses dy daljet që i kemi bërë me të pandehurit. Mirëpo, ditën e tretë, nga identifikimi i pistës që e kemi bërë me mjete të fshehta, pa të pandehurit. Identifikimin e vendit e kemi bërë vetë, institucionet duke përdorur masa hetimore, veprimet hetimore është zbuluar vendi i saktë”, tha Prokurori.

Në aktakuzën e ngritur, Hamiti tha se janë dëshmitë e 29 dëshmitarëve.

Lexo edhe:  Incidenti në Prishtinë, kjo është gjendja e nënës së policit që e plagosi me armë

“Kemi dalë në terren për me kërku vendin se ku mund të jetë trupi i të ndjerit, por një kohë të gjatë s’ka pasur rezultate. Mirëpo, pas ekzaminimit edhe njëherrë të të gjitha, dmth mos të harrojmë, në aktakuzë kur ta keni në dorë, të shihni se 29 dëshmitarë relevantë janë që janë të parapamë në këtë aktakuzë si dhe mbrojtja e të pandehurit. Por, janë marrë edhe shumë njerëz të tjerë në pyetje, por që kanë dalë se s’janë relevantë për rastin. Por, 29 prej tyre si dëshmitarë na kanë ndihmu”, ka deklaruar Hamiti.

Familja Rexhepi: Kriminelët të marrin dënimin e merituar

Pas konferencës së Prokurorit Hamiti, reagoi edhe familja Rexhepi. Në reagimin që një prej vëllezërve të Bedriut, i ka dërguar Gazetës Express thuhet se shpresa dhe dëshira e tyre e vetme në këtë moment është që “kriminelët të marrin dënimin e merituar”.

Thonë se për ta më goditësja është që ky “akt makabër” është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”, duke aluduar kështu për familjen Vllasaliu.

“Si familje kemi pasur besim në institucionet tona dhe asnjëherë nuk kemi rreshtur së kërkuari Bedriun, megjithëse jeta e tij veqse kishte përfunduar më datën 8 prill 2021 nga dora e kriminele (Jeton dhe Nexhat Vllasaliu) të cilët tani janë në dorë të organeve të rendit. Shpresa dhe dëshira jonë në këtë moment është që kriminelët ta marrin dënimin e merituar. Njashtu, duam t’ju informojmë që Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi me qellim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”, thuhet në reagim.

Lexo edhe:  IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta

Në fund të reagimit, familja ka njoftuar se varrimi i Bedriut do të bëhet të enjten në orën 13:00, në varrezat e qytetit në Shtime.

Kur u raportua si i zhdukur Rexhepi e çka deklaruan familjarët atëherë?

Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.

Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.

Më vonë janë arrestuar edhe vëllai dhe kunata e Vllasaliut.

Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar për Express se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati deklaruar deklaruar Adnan Rexhepi.

Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.

“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, kishte deklaruar ai.