Marihuanë, kokainë e armë – Policia e kap në flagrancë një 39-vjeçar në Prishtinë

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pas mesnate në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te shoferi i dyshuar, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi të marihuanës dhe një sasi të kokainës , e po ashtu edhe një mjet të mprehtë.

Droga dhe provat e tjera janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprat penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Albina dhe familja Kelmendi në finale të Eurovisionit