Lulëzojnë 100-shet e falsifikuara në Kosovë, sekuestrohen qindra euro
Pothuajse çdo ditë vihen në treg shuma të ndryshme të parave të falsifikuara. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro. Dy raste të tilla janë raportuar sot, njëri në Prishtinë e tjetri në Gjilan.
Gazeta Sinjali mëson se një zyrtar i bankës Banka për Biznes (BPB), në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prishtinë ka raportuar se kanë hasur në një kartëmonedhë prej 100 euro, që ishte deponuar nga një person dhe dyshohet se është e falsifikuar. Posa është denoncuar rasti, njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kartëmonedha është konfiskuar.
Njëjtë ka ndodhur edhe në bankën Raiffeisen në rrugën “Adem Jashari” në Gjilan, ku një zyrtar ka njoftuar Policinë se një klient ka deponuar një kartëmonedhë prej 100 euro, që po ashtu dyshohet se ka qenë e falsifikuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetimi ka filluar për veprën penale “Falsifikim i parasë”, për dy rastet veç e veç.
Kujtojmë se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.