Lirohet kërcënuesi i gazetarit të Klan Kosovës, kërkon falje dhe qan gjatë seancës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar lirimin e personit që kërcënoi gazetarin e Kiks Kosova, Herolind Ademi.
Ky vendim ka ardhur edhe përkundër deklarimit të palës së dëmtuar se nëse i pandehuri gjendet në liri, ndihet i kërcënuar.
Sipas aktvendimit të Gjykatës, Bujar Behrami i ka kërkuar falje palës së dëmtuar, në këtë rast gazetarit Ademi, duke thënë se është në gjendje depresioni.
“I pandehuri Bujar Behrami lidhur me kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit, ka deklaruar se e mbështet fjalën e mbrojtësit të tij dhe shton se nuk ka kohë me u marr tani me të dëmtuarin sepse ‘jetoj në kushte tejet të vështira materiale’. Prindërit nuk ka mirë me shëndet e po ashtu edhe vetë vuan nga një sëmundje depresioni dhe për këtë përdori terapi dhe e luti palën e dëmtuar ta falë për këto veprime të tij dhe i garanton që ‘asnjëherë nuk do të më sheh’ dhe po ashtu ka theksuar faktin se në ‘vendin ku jetoj, liria është e kufizuar’ dhe i është drejtuar palës së dëmtuar se edhe nëse veprimi më i vogël i tij kryhet ndaj tij është në gjendje ta nënshkruajë burgimin e përjetshëm”, citon gjykata fjalët e të pandehurit Bujar Behrami.
Gjykata ndërkaq ka konstatuar se kërkesa e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Behrami, është e pabazuar.
Prandaj, Behrami do të lirohet në mbrojtje në liri sepse, sipas gjykatës, nuk ekziston rreziku se i njëjti mund të arratiset apo përsërisë veprën e njëjtë penale apo vepër tjetër.
“Po ashtu, edhe sa i përket rrezikut të përsëritjes së veprës penale nuk rezulton i besuar, duke pasur parasysh pikërisht faktin se i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën është akuzuar, duke shprehur kështu vetëdijesimin e tij për veprimet e veta inkriminuese, dhe pasoja që shkakton me ato veprime, por edhe pasoja ligjore ndaj vetë tij në rast se i përsërit këto veprime ndaj të dëmtuarit ose ndonjë personi tjetër, duke kryer vepra penaletë kësaj natyre apo të ndonjë natyre tjetër, kërkim faljen e tij ndaj të dëmtuarit të pranishëm në seancë për më shumë se një herë, me premtimin se kurrë nuk do i përsërisë këto veprime dhe në asnjë mënyrë nuk do ta kontaktojë të dëmtuarin, pastaj nuk rezulton në shkresa të lëndës se i njëjti është hetuar apo gjykuar për vepra penale të kësaj apo ndonjë natyre tjetër penale”.
“Po ashtu, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, përkatësisht dënueshmërinë e kësaj vepre penale, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton, nuk duhen të besueshme pritjet se i akuzuari Bujar Behrami mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryejë”, tha Gjykata në aktvendim.
Ndërkaq Behrami, pothuajse gjatë gjithë seancës për caktimin e paraburgimit ndaj tij, ka qarë.