Lirohen asamblisti i VV-së dhe dy të dyshuarit e tjerë që u kapën me Policinë në Prizren, Gjykata refuzon paraburgimin

Tre të dyshuarit për incidentin që ndodhi të premten në Prizren përfunduan në ndalim policor, nën dyshimin se u kapën me Policinë gjatë një intervenimi të zyrtarëve policorë për ta ndaluar një person që dyshohej për drogë. Ndaj tyre, Prokuroria kërkoi masën e paraburgimit, por kërkesa u refuzua dhe Gjykata vendosi për një masë alternative, raporton Gazeta Sinjali.

Kreshnik Krasniqi, Krenar Krasniqi dhe Adem Shabanaj përfunduan në pranga pasi fillimisht siç njoftoi Policia dyshohej për sulm dhe kanosje ndaj zyrtarëve policorë dhe të njëjtit u dërguan në mbajtje për 48 orë.

Brenda këtij afati ligjor, Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, por Gjykata e ka refuzuar si të pabazuar dhe ka vendosur për një masë tjetër sigurie.

Asamblisti i VV-së, Shabanaj dhe dy të dyshuarit e tjerë, Kreshniku dhe Krenari, pas seancës dëgjimore janë liruar nga Gjykata në arrest shtëpiak nën dyshimin se kanë kryer veprën penale  “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili tha se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e arrestit shtëpiak

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, Gjyqtari i procedurës paraprake, Lulzim Hoxha, me datë 03.02.2024, ka marrë AKTVENDIM, është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, për caktimin e paraburgimit ndaj tre (3) të pandehurve, K.K., K.K. (2), për shkak të dyshimit zë bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 401, par. 5 lidhur me par. 4. Dhe nenin 31 të KP-së, dhe A.Sh., për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprën penale, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, nga neni 401 par. 5 lidhur me par. 1 të KP-së.

Ndaj të pandehurve i’u është caktuar masa e ARRESTIT SHTËPIAK,  e cila mund të zgjasë deri më datë 02.03.2024.  Nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit.

Këtë masë do ta mbikëqyrë Stacioni Policor në Prizren, të cilët edhe pa kërkesën e Gjykatës në çdo kohë mund të verifikojnë zbatimin e kësaj mase, dhe pa vonesë të njoftojnë Gjykatën për cenimin e mundshëm të kësaj mase.”

Sipas vendimit të marrë, Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masë e ashpër ndaj të dyshuarve dhe kërkesa nuk ka qenë e bazuar, prandaj nuk është aprovuar.

Lexo edhe:  Ky është i dyshuari që goditi me veturë babanë dhe vëllain e tij në Lipjan

“Gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, pohimet te palëve dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë të procedurës penale/hetimore, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e pabazë, andaj ka ardhur në përfundim se masa e paraburgimit në rastin konkret është e ashpër dhe ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak. “

Gjykata është e mendimit se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar prezencën e tyre në këtë fazë të procedurës, dhe se mund të zhvillohet procedura penale/hetimore në mënyrë të papenguar, kjo sepse në rastin konkret me masën e arrestit shtëpiak të pandehurit do ta kenë të pamundur lëvizjen e lirë dhe arratisjen, kurse të dëmtuarit janë zyrtarë Policor, andaj nuk ekziston rreziku i ndikimit në prova apo dëshmitarë, dhe se provat janë siguruar nga ana e Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit.” – thuhet në njoftim.

Ndryshe, në njoftimin e parë të Policisë lidhur me këtë rast thuhet se policë tjanë sulmuar dhe kanosur nga tre persona.

“Sot me datë 02.02.2024 ,rreth orës 12:15 , në rrugën Sheh Emini në Prizren,  derisa tre zyrtar policor të njësis së narkotikeve kanē qenë duke e ndjek një të dyshuar 23 vjeçar, I dyshuari ka ikur dhe është futur në një kafiteri. Policët kur jan futur brenda në kërkim tē dyshuarit, tre persona,  punonjës së kafiteris I kanë kanosur dhe sulmuar zyrtarët policor.

I dyshuari I kërkuar si dhe tre të dyshuarit tjerë që kanë sulmuar policët janë arrestuar.

Pas intervistimit në prezenc të avokatëve mbrojtës,  tre tē dyshuarit që kanë sulmuar zyrtarët policor me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. Ndërsa I dyshuari për posedim të sumstancave narkotike është liruar procedurë të rregullt.

Të dyshurit e ndaluar janë: K.K viti I lindjes 1992, K.K. Viti I lindjes 1995, dhe A.SH. viti I lindjes 1993. Nga Prizreni.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Menjëherë pas ndarjes ia dogji veturën, 61-vjeçari në Prishtinë s’e lë rehat ish të dashurën