“Lësho shpijen, kom me t’mbytë”/ Renovimi i shtëpisë përplas mërgimtarin me babain dhe njerkën, përfundojnë në Polici

Konfliktet mes anëtarëve të familjeve kosovare lindin për arsye të ndryshme. Mosmarrëveshjet verbale me njëri-tjetrin shpesh herë eskalojnë në kërcënime, duke u dashur kështu medoemos ndërhyrja e Policisë për te zgjidhur telashet.

Një rast i tillë ka ndodhur dje rreth orës 14:40 në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë, ku si pasojë e një mosmarrëveshjeje rreth renovimit të shtëpisë, ka plasur sherri mes një burri dhe babait e njerkës së tij.

Sinjali mëson se i dyshuari i cili ka ardhur nga Zvicra, ka hasur në telashe me prindin e tij i cili nuk është pajtuar që ta renovojë shtëpinë ku jetojnë. 41-vjeçari ka thënë se babai i tij nuk po e lejon renovimin, pasi po ndikohet nga gruaja e tij.

Sipas dëshmisë së tij, ai ka kërkuar që të dalin me qira gjatë renovimit të shtëpisë, por këtë nuk e ka pranuar i moshuari.

Njësitë policore kanë shoqëruar në stacion për intervistim palët e përfshira, ku njerka e të dyshuarit ka deklaruar se djali i burrit të saj vazhdimisht e kërcënon dhe i bën presion të largohet nga shtëpia, duke i thënë se do ta mbysë.

Po ashtu edhe babai i të dyshuarit ka deklaruar se i biri ka filluar renovimin e shtëpisë pa miratimin e tij dhe të njëjtin e ka kërcënuar duke i thënë se do ta dërgojë në Psikiatri dhe do ta mbysë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Kanosje’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Vdekja tragjike e 60-vjeçarit në vendin e punës në Skenderaj, arrestohet dhe dërgohet në paraburgim Arif Lushtaku