E tmerrshme: Rrëmbehet si në filma 18-vjeçarja në Mitrovicë, rrëmbyesit ia prejnë flokët dhe e torturojnë për disa orë

Një rrëmbim si në filma ka ndodhur mbrëmë në Mitrovicë, kur disa persona kanë dalë nga një makinë, me ç’rast kanë rrëmbyer një 18-vjeçare. Gjithë ngjarjen e ka rrëfyer në spital vet vajza e cila ka treguar detajet se si u mbajt e mbyllur për disa orë, mëson Sinjali.

Burimet e sinjalit nga Spitali kanë bërë të ditur se vajza është pranuar në orët e mbrëmjes, me lëndime të dukshme dhe në gjendje te keqe emocionale, për çka janë ngritur dyshimet.

Ajo i është nënshtruar menjëherë trajtimit mjekësor, ndërkohë që me pas ka përshkruar se si ndodhi rasti. Me flokë të prera nga rrëmbyesit e lëndime e plagë ne fytyrë, sipas burimeve në spital, vajza ka treguar se kanë qenë disa persona që ia kanë prerë rrugën derisa po ecte pas orës 19:00.

Ata dyshohet se e kanë futur me zor në një veturë, ku nga ai moment vajza s’ka parë gjë me sy, pasi ia mbyllën sytë. Krejt kjo ngjarje si në filma dyshohet se ka zgjatur për disa orë, ku u zbulua se vajzën e keqtrajtuan fizikisht dhe ia shkurtuan flokët, në një lokacion ku u dërgua nga rrëmbyesit.

Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima është transportuar në Qendrën Klinike Universitare , ndërsa motivi i rrëmbimit akoma nuk dihet, por detajet që u kuptuan janë tronditëse.

Për rastin është venë edhe Prokuroria dhe sipas burimeve nga atje, 18-vjeçarja është lëshuar nga rrëmbyesit pas disa orësh dhe familjarët e kanë dërguar në spital.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “rrëmbim”, teksa hetimet për identifikimin e të dyshuarve dhe mbledhjen e provave që zbardhin ngjarjen po vazhdojnë.

Lexo edhe:  Therje me thikë në Vushtrri, viktima bëhet për spital – i dyshuari arrestohet