Ky sistem po i mbron kriminelët”- Babai i Triumf Rizës reagon pas lirimit të Enver Sekiraqës

Enver Sekiraqa i akuzuar se ka nxitur vrasjen e Triumf Rizës është lënë i lirë. Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë u vendos që edhe masa e arrestit shtëpiak të i hiqet.Vendimin e gjykatës për Insajderin e ka komentuar babai i Trimuf Rizës, Shefqet Riza.

Riza i zhgënjyer nga vendimi i fundit ndaj Sekiraqës, shprehet se “ky sistem po i mbron kriminelët më shumë se heronjtë”.

“Ne si familje jemi në gjendje tepër të vështirë, sistemi i gjyqësisë na ka pru në këtë gjendje, njëherë kriminelët. Po, tash ky sistem i drejtësisë po i mbron më shumë kriminelët sesa heronjtë, jemi tepër të shqetësuar se qysh ka ndodhë kjo. Bile, kanë qenë të obliguar sipas ligjit që familjen, ose palët e dëmtuar me doemos ta njoftojnë me këtë vendim të fundit. Aktvendim të fundit, për lirim nga arresti shtëpiak”, ka thënë ai për Insajderi derisa ka shtuar se për lirimin e Sekiraqës u njoftuan nga mediat.

Babai i Triumf Rizës, ritheksojë se gjendja e familjes është tejet e vështirë e që është i zhgënjyer nga gjitha anët.

“E kemi gjendjen jashtëzakonisht të vështirë, saqë unë nuk po kam qejf edhe me media me pas punë, po të kallxojë drejt se qaq jam i zhgënjyer në tana anët, edhe pse mediat nuk më kanë faj…”, u shpreh tutje ai.

Sipas tij, janë pikërisht gjykatat që po i stimulojnë kriminelët. Fajin për këtë gjendje, ai ia lë Gjykatës së Apelit.

“Është njëfarë gjendje tepër heterogjene, e pakuptueshme e pa balacuar në shoqërinë tonë. Qysh bohet që nëpër institucionet tona me shpall hero për luftë kundër krimit të organizuar me banditët e Enver Sekiraqës kur në anën tjetër gjykatat e stimulojnë”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Biznesmeni Lazim Destani ndihmon të prekurit nga vërshimet në Kosovë

“Unë, personalisht kam vërejte shumë të mëdha që po e kthen (Gjykata e Apelit) që 2-3 herë, këta e kanë kriju këtë problem”, shtoi babai i policit të vrarë.

I pyetur se si do të veprojnë më tutje, si familje e një polici të vrarë, Shefqet Riza u shpreh se do të luftojë deri në frymën e fundit.

“Deri në frymën e fundit, nuk do e lëmë kështu kjo është tepër e pakuptueshme për shoqërinë tonë, pse të ndahen heronj, përndryshe çfarë kuptimi ka me u shpallë hero e knej gjykatat…”, deklaroi Shefqet Riza.

Gjatë bisedës, ai shtoi se për vendimin e padrejtë sipas tij të marrë nga gjykata, do të ndërmarrë veprime konkrete.

“Unë nuk kam bë por, do të bëjë, do ta sensibilizoje çështjen edhe me kryetarin e Kuvendit edhe ministrin do ta njoftojë, edhe OJQ-ët gjithqysh ka me i informu”, tha ai derisa shtoi se nuk do të ndalet derisa kriminelët të marrin vendimin e merituar.

Të shtunën e 10 shkurtit, avokatja e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi tha për Gazetën Insajderi se ai tashmë është i lirë dhe se ka për detyrë paraqitjen në polici.

“I njëjti ka qenë në arrest shtëpiak qe dy vite. Dje është vendos nga Gjykata që të hiqet kjo masë dhe te zëvendësohet me atë në paraqitje në polici”, tha ajo.

Çka thuhet në njoftimin e gjykatës?

Gjykata Themelore në Prishtinë doli me njoftim pas heqjes së masës se arrestit shtëpiak ndaj Enver Sekiraqës.

Sipas njoftimit atij i është caktuar masa masa e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda në çështjen penale kundër të akuzuarit E.S, për vepën penale Shtytje në kryerjen e veprës së rëndë të parashikuar nga neni 147 paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 24 të KPK-së, për të cilën vepër çështja është kthyer në rigjykim sipas vendimit të Gjykatës së Apelit – Departamenti Special, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke vendosur sipas detyrës zyrtare, me datë 09.02.2024 konform nenit 181 paragrafi 7 lidhur me nenin 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka marr Aktvendim dhe të akuzuarit E.S i ndërprehet masa e arrestit shtëpiak me datë 10.02.2024 dhe kundër të njëjtit urdhërohet masa e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhej në njoftim.

Lexo edhe:  Kosovarët rrahën mes vete në Austri

Tutje bëhet e ditur se ky vendim vjen pasi Sekiraqa ka qenë në arrest shtëpiak për dy vite dhe se e ka respektuar këtë masë.

“Gjykata duke vepruar sipas detyrës zyrtare, të akuzuarit E.S i ndërpren masën e arrestit shtëpiak dhe kundër të njëjtit cakton masën e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj, ngase që nga data e caktimit të masës së arrestit shtëpiak me datë 15.10.2021 e deri me tash, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak. Duke pasur parasysh se i akuzuari gjendet nën masën e arresti shtëpiak për më shumë se dy vite dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Policia e Kosovës se i njëjti në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, gjykata konsideron se edhe masa e paraqitjes në stacion policor, krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të zhvillohet pa vështirësi”, vijon njoftimi.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007.