Ky ishte destinacioni i aeroplanit të rrëzuar që po transportonte armatim serb

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, në një konferencë për media është deklaruar për rrëzimin e avionit serb në Greqi. Ai tha se avioni “Antonov 12” ishte duke transportuar 11.5 tonë armatim serb për Ministrinë e Mbrojtjes së Bangladeshit, raporton RTS.

Stefanoviq tha se tetë anëtarët e ekuipazhit kanë vdekur, mirëpo njoftoi se ata nuk ishin shtetas serbë.

Ministri serb tha se avioni u ngrit në orën 20:40 nga Nishi. Sipas tij, pronari i avionit është një kompani ukrainase, ndërsa malli i transportuar me avion është i kompanisë serbe “Valir”.

Ai mohoi se kanë qenë duke bartur armatim për në Ukrainë. Stefanoviq tha se që nga viti 2016 nuk është dhënë asnjë leje për transportin e armëve nga Serbia në Ukrainë apo Rusi.

“Aeroplanët e përdorur për transportin e kësaj pajisjeje janë të kapacitetit të lartë dhe janë prodhuar kryesisht nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhe përdoruesit janë Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina. Për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, rusët dhe bjellorusët nuk mund të transferojnë armë, dhe ata ukrainas nuk munden për shkak të situata në atë vend që ata kthehen në Ukrainë dhe zbarkojnë atje dhe janë të angazhuar në të gjithë botën për transferimin e këtyre mallrave”, deklaroi Stefanoviq.

Stefanoviq tha se Serbia eksporton armë vetëm në përputhje me lejet ndërkombëtare.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Çagllavicë, pamje nga vendi i ngjarjes