Ky është zyrtari policor që dyshohet se u përfshi në rrahje në një lokal

U raportua se një zyrtar policor në Kamenicë është përfshirë në një përleshje mes disa personave, që ndodhi më 9 korrik, në kafeterinë ‘Loungebar Moe” në këtë qytet. Sinjali mëson se bëhet fjalë për zyrtarin policor Flamur Keka, i cili edhe më parë është përfshirë në incidente të tilla.

Keka, dyshohet se derisa ka qenë jashtë detyrës zyrtare bashkë më tre persona të tjerë (emra të njohur për redaksinë), janë përleshur në kafeteri me njëri-tjetrin, pas një mosmarrëveshje që nisi aty dhe eskaloi në sulm fizik.

Si pasojë e goditjeve, katër të dyshuarit e përfshirë në rrahje pësuan lëndime trupore, për çka u dërguan në Emergjencën e Gjilanit, për trajtim mjekësor, e më pas u shoqëruan në stacion policor.

Burimet thonë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe në koordinim me IPK-në, ndaj policit Keka është iniciuar rasti si “lëndim i lehtë trupor” dhe i njëjti është liruar. Për të njëjtën vepër, edhe të dyshuarit e tjerë do të hetohen nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Dy të vdekur nga goditja e trenit në Klinë, policia thotë se drejtuesi i veturës nuk ishte ndaluar mbi hekurudhë