Ky është shoferi që pengoi dhe ofendoi policët në Prishtinë pasi e gjobitën, përfundon në ndalim

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Kështu ka ndodhur së fundmi në rrugën “Armend Daci ” në Prishtinë, raporton Sinjali.

Këtë herë, Policia është penguar në kryerjen e detyrave nga shoferi i një veture, i cili u gjobit për kundërvajtje në trafik dhe në shenjë revolte shpërfilli urdhrat e zyrtarëve policorë, e madje edhe i ofendoi ata.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi që përfundoi në prangat e Policisë dhe tashmë ndodhet në ndalim policor është Edon Mulaj, 23-vjeçar.

Mulaj po dyshohet se fillimisht ka refuzuar që t’i nënshtrohet kontrollit dhe verifikimit, e më pas është kapur me policët, të cilët i ka ofenduar, e më pas edhe ka rezistuar, çka i shtyri ata që ta arrestojnë të dyshuarin.

Për pasojë, gjatë prangosjes së tij, një zyrtar policor është lënduar dhe i njëjti ka marrë trajtim mjekësor në spital.

Ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tij Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë për veprën penale “Pengim i personit zyrtar”.

Lexo edhe:  Turqia goditet nga një tërmet tjetër