Ky është shoferi me ‘Porsche’ që u kap nga Policia me armë e municion në Gjilan
Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Për një rast të tillë është arrestuar mëngjesin e djeshëm një person në Gjilan, i cili sipas burimeve të Gazetës Sinjali u ndal për kontroll nga Policia derisa po voziste veturën e tij luksoze të tipit ‘Porsche’, ku gjatë këtij kontrolli iu gjet një armë zjarri me karikator dhe fishekë të cilat u konfiskuan nga Policia.
Sinjali mëson se 35-vjeçari që ra në prangat e Policisë është Afrim Kurdiu.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“