Ky është prishtinasi që mori veturën me qira për dy ditë dhe nuk e ktheu, përfundon në pranga

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët marrin vetura me qira dhe shkelin marrëveshjet që bëjnë me bizneset për shfrytëzimin e tyre. Shpesh ato automjete shiten, ose ‘zhduken’, çka i detyron pronarët e kompanive të kërkojnë ndihmë nga Policia. Kështu ka ndodhur edhe në një ‘Rent a Car’ në Prishtinë, për çka një person është arrestuar dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Shemsi Abduallahu, 50-vjeçar, i cili po dyshohet se nuk e ktheu veturën pas dy ditësh, ashtu siç ishte marrë vesh me pronarin e kompanisë.

Sinjali mëson se i dyshuari përveç që nuk e ktheu veturën, ai dyshohet se e dhe e mashtroi pronarin, duke i thënë se gjoja ia ka lënë veturën në një lokacion, në të cilin automjeti nuk u gjet. Kjo bëri që viktima ta denoncojë rastin dhe t’i njoftojë organet se sipas GPS-it, vetura gjendet në Serbi.

Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij, me urdhër të prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Mashtrim”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Donatori anonim në Vushtrri dhuron 7 mijë euro për shoqatën “Bereqeti”