Ky është personi që sulmoi policin në Ferizaj teksa ishte me familje, i shkoi te tavolina dhe e goditi

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të premten në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, por këtë herë zyrtari policor u sulmua fizikisht teksa ishte jashtë detyrës zyrtare.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që i shkoi policit në tavolinën ku po qëndronte me familje dhe e sulmoi është Lulzim Ademaj, 46-vjeçar.

Për motive akoma të panjohura, Ademaj e ka goditur zyrtarin policor (emër i njohur për redaksinë) të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore, por edhe shqetësim.

Posa rasti është denoncuar, polici ka marrë trajtim mjekësor në spital, ndërkohë që njësitet policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes

Sipas të njëjtave burime, Policia tashmë ka siguruar edhe pamje ku shihet momenti kur ka ndodhur sulmi ndaj zyrtarit policor, që dëshmojnë përfshirjen e Ademajt në këtë rast.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku pas përfundimit të procedurave është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit. I njëjti do të hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Lexo edhe:  E rëndë: Prindërit në Prishtinë kërcënohen me vrasje nga djali, nuk i dhanë para për drogë