Ky është personi i arrestuar që dyshohet se planifikoi ekzekutimin e të riut “Dhija” në Podujevë

Podujeva të hënën u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku si pasojë e të shtënave me armë, një person mbeti i vrarë, teka gruaja e tij u plagos.

Viktima Valmir Breznica u qëllua me armë zjarri, për motive akoma të panjohura. Policia në koordinim me Prokurorinë kanë nisur hetimet, ndërkohë që tashmë është arrestuar një person që dyshohet se është i përfshirë në rast, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u arrestua mbrëmë nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” është Arsim Syla, 48-vjeçar.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari Arsim Syla, ka qenë bashkë me dorasin pak para se të ndodhte krimi, duke e planifikuar vrasjen e 34-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në vend nga të shtënat me armë zjarri.

Të njëjtat burime thonë se Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik dhe i njëjti më pas është prangosur e shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.

Personi që mbeti i vrarë Valmir Breznica, (34-vjeçar) i cili njihej me nofkën “Dhija” nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor e ka konfirmuar vdekjen e tij. Ndërsa bashkëshortja e tij, e cila u plagos, është dërguar në spital për trajtim mjekësor

Lexo edhe:  Vetaksident në Komoran, kamioni thyen anësoret e rrugës