Ky është kosovari 46 vjeç që u kap me kokainë, tentoi t’i ikte Policisë si në filma

Mediet pak më parë raportuan për arrestimin e një personi në fshatin Grejkoc të Suharekës, pasi i njëjti u kap me sasi të madhe të drogës.

I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij pritet të merren edhe veprime tjera ligjore.

Sinjali mëson se i dyshuari është 46-vjeçari, Lulzim Reshani.

Reshani po lëvizte me veturën e tij në rrugën e fshatit Grejkoc dhe me të parë Policinë fillimisht ka tentuar që të ikë, por i njëjti është arritur që të arrestohet dhe t’i nënshtrohet kontrollit nga zyrtarët policorë.
Burimet e medieve brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit trupor te 46-vjeçari kanë gjetur një karikator dhe substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Ai është arrestuar menjëherë, ndërkohë që me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.

Gjatë kontrollit në veturën dhe pronat e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar rreth 1.5 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, mbi 2 kilogramë kokainë, municion, peshore, qese najloni që shërben për mbështjelljen e narkotikëve, para të gatshme, veturë, telefona e gjësende tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale lidhur me rastin.

Reshani do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’.

Lexo edhe:  Shifra rekorde: Mërgimtarët dërguan 85 milionë euro në Kosovë vetëm gjatë shkurtit