Ky është i riu që publikoi pamje me armë zjarri në rrjete sociale, Policia ia bastis shtëpinë dhe e arreston

Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë.

Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi në Podujevë, ku është arrestuar një person pasi ka publikuar në rrjete sociale pamje me armë zjarri.

Pasi është identifikuar i dyshuari, kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe mbi 10 fishekë të pushkës së gjuetisë.

Sinjali mëson se personi që përfundoi në prangat e Policisë është Butrint Menxhiqi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës dhe është bërë e ditur se në konsultim me prokurorin, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti në rrjete sociale ka postuar armë zjarri. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar; një armë zjarri me një karikator pa fishek, dhe 12 fishekë të pushkës së gjuetisë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje“.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim