Ky është i dyshuari që sulmoi kadetin e Policisë në Pejë

Gazeta Sinjali raportoi të dielën për një rast të sulmit fizik ndaj një kadeti të Policisë së Kosovës, që ka ndodhur të shtunën pas mesnate, te pompa e derivateve ‘DHF Company’ në Pavlan të Pejës. I riu dyshohet se është sulmua për motive akoma të panjohura, teksa një person i dyshuar tashmë ka rënë në prangat e Policisë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që është arrestuar është Nusret Ljaiç, (47-vjeçar) i cili po dyshohet për dy vepra penale, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”

Rasti është zbuluar pasi kadeti i Policisë (emër i njohur për redaksinë), kërkoi ndihmën e Policisë dhe raportoi ka qenë cak i sulmit fizik.

Sipas dëshmisë së viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, disa persona e kanë sulmuar fizikisht dhe e kanë goditur me armë në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë aktivizuar dhe kanë arritur ta arrestojnë 47-vjeçarin që dyshohet të jetë i përfshirë në rast.

Të njëjtat burime thonë se pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar, me ç’rast e ka pranuar veprën për të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe nisjen e hetimeve për zbardhjen e motivit dhe rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Shteti mbyll katër komuna paralele ilegale në Vranisht të Dragashit