Dënohet me 25 vjet burgim burri që vrau gruan e tij me sëpatë në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit  Izet Godeni, i cili akuzohet për vrasjen me sëpatë të gruas së tij, në nëntor të vitit të kaluar.

Godeni është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25vite.

“Me datë 30.05.2023 gjykata ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G ka pranuar fajësinë, ndërsa me datë 31.05.2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër akuzuarit I.G. i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vite, të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit.

I akuzuari I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve,  e ndjera S.G kishte ndërruar jetë. Kjo gjendje faktike është vërtetuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”

Lexo edhe:  Ky është personi që dyshohet se e sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikçi