Ky është i dyshuari që e mashtroi 40-vjeçarin nga Peja duke ia marrë 1500 euro për vizë çeke

Sot u arrestua një i dyshuari që u denoncua në Polici se mashtroi një qytetar në Pejë, duke i marrë para në këmbim të rregullimit të një vize. Pejani e pagoi të dyshuarin qindra euro para pesë vitesh për një vizë çeke, por lëre që nuk e mori vizën, ai nuk ia ktheu as paratë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që u prangos për këtë rast është Florin Kacoli, 53-vjeçar, i cili tashëm ndodhet nën masën e ndalimit policor. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve nën dyshimet se ka kryer veprën penale “mashtrimi”.

Qytetari që u mashtrua ka vendosur sot që ta denoncojë të dyshuarin me të cilin bëri marrëveshje, duke e raportuar në Polici. Në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve thuhet se në vitin 2017 ai e ka paguar Kacolin 1500 euro, për t’ia rregulluar një vizë për Çeki. Por që nga ajo kohë, përveç që nuk e mbajti premtimin, i dyshuari as të hollat nuk ia ka kthyer viktimës.

Si rezultat i denoncimit, Policia e arrestoi të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku përballur me pretendimet e personit që dyshohet se e mashtroi.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Policia me apel – Nga kjo datë të ndërrohen gomat për sezonin dimëror