Ky është i dyshuari për tentim vrasjen e të riut në Prishtinë, po kërkohet nga Policia

Dragodani nuk gjeti qetësi mbrëmjen e të premtes, pasi të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në rrugën “Ferid Curri”.

Një person u qëllua më armë zjarri nga një person tjetër dhe për pasojë mbeti i plagosur, ndërsa i dyshuari nuk është arrestuar akoma.

Siç mësoi ekskluzivisht Sinjali, personi që po dyshohet se e gjuajti me armë viktimën është identifikuar si Shkodran Humolli.

Ai ndodhet në arrati dhe tashmë po kërkohet nga Policia e Kosovës.

Sinjali po ashtu mësoi se viktima e këtij rasti është Fatlum Jetullahu, i cili u qëllua me armë në shpinë dhe u gjet i shtrirë në rrugë nga Policia.

Sipas informacioneve që siguroi mbrëmë Sinjali nga Emergjenca, i plagosuri është dërguar në QKUK, ku është trajtuar nga stafi i mjekimit intensiv.

Motivet dhe rrethanat në të cilat ndodhi ky incident i rëndë në kryeqytet janë akoma të paqarta, teksa vendi i ngjarjes është ekzaminuar nga njësitet përkatëse të Policisë.

Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë sekuestruar pesë gëzhoja të plumbave.

“Një mashkull kosovar, ka pësuar lëndime në shpinë nga arma e zjarrit, në drejtim të të cilit ka shtënë i dyshuari mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 5 gëzhoja. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor. I dyshuari është në kërkim nga policia. Rasti në hetime”, thuhet në njoftim.

Por, Sinjali ka mësuar se në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur edhe një veturë të braktisur me targat 01-287-EV, jo shumë metra larg ku u gjet i plagosuri.

Akoma nuk është konfirmuar nëse vetura e gjetur në vendin e ngjarjes është e personit që dyshohet se kreu veprën.

Hetimet në lidhje me këtë rast tashmë kanë filluar, ndërsa Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e detajeve të reja.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit: Vranësira, rrufe e shi, mos dilni pa çadër