Ky është i dyshuari për shitblerje të drogës në Prizren, u kap mat me rreth 30 doza kokainë
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Për një rast të tillë është arrestuar gjatë ditës së djeshme një person në Prizren.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Egzon Mustafa, 26-vjeçar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Mustafa u kap në flagrancë pasi një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Sahat Kulla’ ka ndalur për kontroll veturën që po e drejtonte i dyshuari.
Gjatë kontrollit, të riut i janë gjetur rreth 30 doza me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërkohë që Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në rrugën ‘Kaçaniku’, por që nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e Mustafës dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.
“Gjatë kontrollit në trup dhe në veturën e të dyshuarit mashkull kosovar i është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 6.20 gramë, 10.14 gram Kokainë , 1100 € para të gatshme, një telefon dhe veturën tij. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.