Shoferi problematik nga Prizreni i dënuar rreth 70 herë nga Policia e Trafikut mbetet pa patentë shofer deri më 2031

I riu që shkaktoi aksidentin në dhjetor të vitit të kaluar, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Prizren, ku goditi një këmbësor – pamje këto të frikshme që më pas u publikuan, ka shpëtuar pa kaluar asnjë ditë në burg. Gjykata e shpalli fajtor Xhemali Zhurin dhe e dënoi me 6 muaj burgim, por trupi gjykues vendosi ta pranojë kërkesën e avokatit dhe si rezultat dënimi me burg u zëvendësua me 1 mijë e 600 euro gjobë.

Zhuri doli të jetë shofer problematik, i gjobitur dhjetëra herë për shkelje të rregullave të komunikacionit, e madje i dyshuar edhe për disa vepra penale.

22-vjeçari, i cili ka hiç më pak se rreth 70 tiketa për rastet në të cilat është dënuar nga Policia e Trafikut, 65 prej të cilave as nuk i paguar dhe kapin vlerën e rreth 9 mijë eurove, ka mbetur dhe pa patentë shofer.

Siç mëson Sinjali, ky dokument i është sekuestruar nga Policia edhe për 7 vjet të tjera, deri në vitin 2031.

Emri i Xhemali Zhurit është i njohur për Policinë edhe për vepra të tjera penale, përveç atyre kundërvajtëse.

Sinjali merr vesh, në dosjen e Policisë, emri i tij përmendet edhe për vepra si “Lëndim i lehtë trupor” e “‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

I njëjti po ashtu dyshohet se ka shkaktuar edhe aksidente të tjera, por siç duket organet e rendit kanë qenë dorëlirë ndaj tij, çka ka bërë që i dyshuari të vazhdojë me shkeljen e rregullave në trafik.

Ndryshe, në rastin e fundit, Zhuri akuzohej se kishte goditur me veturë këmbësorin, Samir Kervani, i cili po kalonte rrugën në vendkalimin e shënjuar për këmbësorë.

Si pasojë e kësaj, viktima ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku mori trajtimin e nevojshëm mjekësor për lëndimet e rënda që mori.

Lexo edhe:  Vdes personi i dytë i plagosur para dy ditësh në Vushtrri

Lidhur me gjendjen e tij, ka folur për Sinjalin vëllai i viktimës, i cili tha se Samiri ka ende telashe shëndetësore.

“Samiri i lënduari hala nuk është mirë. Ka probleme të rënda psikologjike, dhimbje në kokë, po tutet me dalë prej shtëpisë për shkak qetij rastit”, tha ai.