Ky është i dyshuari për grabitjen në ‘Ria Transfer’ në Gjakovë, nën kërcënimin e sëpatës mori 2 mijë euro

Institucionet financiare shpeshherë janë cak i grabitësve, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kapin shuma të majme parash, nën kërcënimin e armës e mjeteve të tjera. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët. Me një grabitje u përball dje edhe punëtorja e ‘Ria Transfer’ në Gjakovë, ku një person dyshohet se vodhi 2 mijë euro.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është 28-vjeçari, Fejzi Hajdari.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 19:00, kur Hajdari nën kërcënimin e sëpatës ishte futur brenda institucionit dhe kishte arritur që t’i marrë 2 mijë euro.

Menjëherë pas kryerjes së veprës, i dyshuari është larguar që aty. Por Hajdari nuk e shijoi shumë gjatë lirinë nga arratia.

28-vjeçari u kap disa orë me vonë dhe të njëjtit iu sekuestruan sëpata bashkë me paratë e vjedhura. I dyshuari u shoqërua në stacion policor ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që atij t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Aksidenti në dalje të Prishtinës, shoferi dyshohet se shkaktoi aksidentin qëllimisht