Kërkohet të rishqyrtohet vendimi i Komunës së Vushtrrisë, qytetarët për një bukë po udhëtojnë në qytete tjera

Në Vushtrri sërish është fuqizuar vendimi i Komunës që e diela të jetë ditë pushimi për shumë shërbime në këtë qytet, por pushim sipas urdhëresës komunale do të jetë edhe gjatë festave pavarësisht ditës kur bie festa.

Ndaj vendimit të Komunës ka patur edhe reagime të qytetarëve vushtrrias, ku të dielave, furrat e bukës sipas urdhëresës po punojnë deri në ora 12:00 të mesditës, ndërsa sot shumë qytetarë u janë drejtuar dyqaneve në territoret e qyteteve tjera si Prishtinë, Obiliq apo Mitrovicë që të furnizohen me bukë.

“Mbylljen e bisneseve ne diten e diel. Sot sherbimet qe i marrim ne marketa me lire po duhet mi marr ne pompa te benzines me çmime 30-40% me shtrejt ndersa per mi dergu femijet ne lojra po duhet me shku ne qytete tjera”, ka shkruar ditë më parë ndër të tjera qytetari Alban Shala.

“Qytetaret heret mbeten pa buke. Ia mesyne Mitrovices”, ka shkruar gazetari vushtrrias Avni Deliu.

Në një përgjigje për VushtrriaPress, i pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka thënë ditë më parë se pret përkrahje nga bizneset, pasi po përkrahë punëtorët.

“Sa i përket ditës së diele, si ditë pushimi, këtë e përcakton rregullorrja e miratuar në Kuvend, dhe unë do ta zbatoj pa u zbrapsur. Pra, nuk pres reagim nga bizneset, por mbështetje, sepse këta të rinjë dhe të reja duhet t’i mbroj dikush, ndryshe, një ditë nuk do i kemi në Kosovë sepse ata do ikin nga Kosova. Këtë vendim është dashur ta marr Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari Idrizi.

Edhe ish kryetari Xhafer Tahiri pati propozuar pushim të dielave, por pas reagimit qytetarë, ai kishte rikthyer sërish të dielen siç ishte më parë.

Lexo edhe:  Pamje nga momenti kur nxirret i vdekur 4 vjeçari në kanalin e ujit