Ky është hetuesi policor që u arrestua në flagrancë nga IPK, dyshohet për marrje ryshfeti
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, zyrtari policor që ra në prangat e IPK-së është Bekim Hyseni – hetues në stacionin policor në Obiliq.
Hyseni u prangos sot në flagrancë pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore.
IPK ka njoftuar se ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.” – njoftoi IPK.