Ky është 50-vjeçari i arrestuar për të shtënat me armë në Shtërpcë, ishte në gjendje të dehur

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Gotovushë të Shtërpcës, Policia ka arrestuar një person.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për qytetarin e nacionalitetit serb, Milorad Repinoviq, i cili ishte në gjendje të dehur në momentin që u arrestua.

Repinoviq është shoqëruar në stacion policor, ndërkohë që të njëjtit i është sekuestruar një armë zjarri automatike dhe një sasi e municionit.

50-vjeçari dyshohet se pas një konflikti pronësor, ka shtënë me armë zjarri në shtëpinë e viktimës, por që për fatin e mirë nuk ka pasur pasoja në njerëz – vetëm dëme materiale.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshm’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Nuk m’ka met tjetër veç me marrë 1 allti me i vra krejt, edhe veten”/ Vushtrriasi kërcënon familjen që s’ia plotësojnë kërkesat